|
Berisha: Po shkurtojmë shpenzimet, Ruçi: Vendi në krizë, qeveria e paaftë
Mungesa e numrave detyron PD-në të heqë nga seanca ligjin e SHISH-it
Qeveria ka arritur të marrë miratimin e Kuvendit për shkurtimet në buxhetin e vitit 2010. Me 75 vota pro dhe asnjë kundër ka kaluar dje në seancën plenare rishikimi i Buxhetiti. Kryeministri sqaroi para deputetëve arsyet e shkurtimit të buxhetit dhe kërkoi miratim për të mos rrezikuar vendin në një krizë ekonomike. Opozita nëpërmjet Gramoz Ruçit ka kundërshtuar ashpër buxhetin dhe ka akuzuar qeverinë se po varfëron çdo ditë qytetarët shqiptarë. Në kohën kur mori 75 vota për buxhetin, kryeministri Berisha nuk ia doli dot të siguronte mazhorancën edhe për ligjin e SHISH, për këtë arsye diskutimi i tij u shty për në muajin shtator. Ndryshimet në buxhet Kryeministri Sali Berisha gjatë diskutimit për ndryshimet në buxhet deklaroi se janë bërë shkurtime të mëdha të shpenzimeve të administratës. Duke folur në Kuvend me tone disi të ashpra, Berisha theksoi se në kuadrin e krizës evropiane qeveria shqiptare vendosi të frenojë më çdo kusht rritjen e borxhit publik. Berisha e quajti skandaloze konstatimin e bërë sipas tij nga opozita, se rritja e pensioneve është veprim kriminal. "Në shkurtuam shpenzimet dhe 45 milionë euro u përdorën për rritjen e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Më gjeni cili vend ka bërë këtë rritje të rrogave dhe pensioneve siç ka ndodhur në Shqipëri", tha Berisha. Sipas tij, rritjet nuk janë bërë për qëllime elektorale, por për qëllime të gjithanshme. Berisha theksoi se është dyfishuar fatura sociale për ndihmën ekonomike dhe invalidët. "Më mirë krijoni një komision hetimor dhe të shihni shifrat, por mos bëni nihilizëm si doktrinën tuaj", tha Berisha. Ruçi: Vendi në krizë, qeveria e paaftë Kryetari i Grupit Kuvendor Socialist, Gramoz Ruçi, deklaroi se Shqipëria është në krizë politike, në krizë të demokracisë, në krizë ekonomike dhe institucionale dhe kryeministri nuk po bën asgjë për të dalë nga kjo situatë. Ruçi theksoi se opozita ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin prej një muaji, për korrupsion qeveritar dhe deri më sot nuk ka reagim. Deputeti Ruçi theksoi se ulja e buxhetit vjen nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga paaftësia qeverisëse e korrupsioni qeverisës. Sipas tij, shqiptarët duan të ardhura në dorë, pasi deri më sot ata marrin 242 euro pagë mesatare në muaj, shifrën më të ulët në rajon. "E gjithë kjo situatë ndodh nga keqqeverisja juaj, sepse këtu po lulëzojnë monopolet, licensat dhe transaksionet korruptive", u shpreh Ruçi.
75 vota Mori në total miratimi i ndryshimeve në buxhet i paraqitur nga ministria e Finanvace. Në këtë pikë të gjithë deputetët e mazhorancës u treguan solid duke mos pasur asnjë rrjedhje votash. Opozita si zakonisht nuk mori pjesë në votim duke e lënë në 0 numrin e votave kundër ndaj ndryshimit të buxhetit.
Ligji i SHISH-it Ndryshe nga buxheti, mazhoranca nuk arriti dot të krijonte numrat e mjaftueshëm për të kaluar dhe projektligjin e SHISH-it. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se ligji i shumëpërfolur u shty për në shtator, për shkak të mos arritjes së shumicës parlamentare.
Apelit të ndërkombëtarëve i shtohet dhe diplomati gjerman
Ambasadori Gjerman: Kujdes me ligjin e SHISH-it
Ligji i Shërbimeve Sekrete është shume i rëndësishëm për demokracinë dhe duhet trajtuar me seriozitet. Ky është apeli që bën ambasadori gjerman Borchardt, apel ky qe vjen pas deklaratave te qarta të ndërkombëtareve kundër ligjit të propozuar nga mazhoranca. "Pak kohë më parë ishte në Shqipëri kryetari i Parlamentit gjerman të cilit iu bë e njëjta pyetje dhe unë dua të them vetëm se kjo është një nga çështjet më të ndjeshme në demokraci, përcaktimi i kufijve midis policisë dhe shërbimeve sekrete" - ka thënë Borchardt. Sa për krizën politike ne Shqipëri diplomati gjerman ritheksoi nevojën për kompromis mes palëve. Sipas ambasadorit Borshardt, kjo duhet të arrihet nga vetë klasa politike dhe dy liderët kryesore Berisha-Rama. "Komuniteti ndërkombëtar dhe konkretisht BE-ja i ka rekomanduar qeverisë dhe opozitës që të gjejnë një kompromis i cili të bazohet në kriteret e transparencës dhe të drejtën kushtetuese, kjo duhet të zgjidhet nga politika shqiptare. Duhet të pyesni kryeministrin dhe liderin e opozitës dhe jo mua" - është shprehur diplomati gjerman lidhur me zgjidhjen e krizës. Këto komente ambasadori gjerman, Bernd Borshardt, i bëri gjatë takimeve me drejtuesit e pushtetit vendor në Korçë dhe Pogradec. Në këto dy qytete qeveria gjermane ka financuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës dhe e turizmit.
Kreu socialist reagon pas seancës së ditës së djeshme
Rama: Berisha dështoi me SHISH-in se nuk ka më numrat në Kuvend
Kryetari socialist, Edi Rama, pas seancës së sotme parlamentare deklaroi se opozita është më e vendosur se kurrë në misionin e saj për të bërë detyrën ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe për t'u dhënë atyre qeverinë që meritojnë. "Sot pamë një seancë të turpshme parlamentare, ku opozita nuk u lejua të fliste për buxhetin por u detyrua të shihte shfaqjen vulgare të monologut të kryeministrit. Ishte një seancë pa debat, pa orar, pa rregulla. Kuvendi e shfaqi krizën e vet funksionale dhe dhunimin e së drejtës së opozitës", tha Rama. Sipas tij, e gjithë kjo shfaqje provinciale nxori edhe më në pah krizën e rëndë të një kryeministri që nuk ka as numrat për ndryshimet e ëndërruara në ligjin e SHISH-it as njerëzit me mend për të përballuar krizën ekonomike. "Kryeministri është i dëshpëruar dhe ka humbur kontrollin ndaj vetvetes. E gjithë kjo skemë e krijuar tregon për një krizë të rëndë psikologjike të pushtetit", tha Rama, në një prononcim për mediat nga selia e PS-së.
|