Përgjithësisht objekt i një romani është jeta dhe dëshira e autorit për të shpalosur pikëpamjen e tij ndaj saj. Fabula, personazhet, marrin në këtë kontekst një vlerë tjetër shumë të gjerë se sa në një poezi të vetme, le të themi. Nga ky këndvështrim kuptohet që krijohet një marrëdhënie krejt tjetër mes tij, -autorit- dhe lexuesit. Sepse duke qenë një roman që mbart një objekt të caktuar, ai mbart në të njëjtën kohë edhe një mesazh që tek lexuesi “përkthehet” si një lajmëtar mesazhmbajtës. Procesi që ndodh me lexuesin në një rast të tillë është tepër interesant, sepse pasi ai është rrëmbyer nga personazhet dhe fabula dhe pasi ai ka bërë hulumtimet e para se si do të përfundojnë gjërat, gjë e cila bën pjesë në kuriozitetin real të tij, ai fillon dhe mendon jo më për mesazhin, por për mbajtësin e këtij mesazhi të cilin fillon të përpiqet që ta interpretojë sipas pikëpamjeve të veta filozofike, traditës së të lexuarit, dhe gjithë faktorëve të tjerë që e bëjnë një individ të dallueshëm nga të tjerët. Po sikur ndodh rëndom në vepra të kësaj gjinie, lajmëtari i kërkuar me aq ngulm nga lexuesi i paduruar e kureshtar, mbetet zakonisht i heshtur, i paidentifikueshëm. Po meqë njeriu, lexuesi, është një qenie njerëzore e cila vetëdijen e trurit e ka të zhvilluar në formën e një paraqitjeje qendrore në hapësirë - kjo do të thotë thjesht - ai fillon dhe ve imagjinatën në punë. Kjo imagjinatë përkundër të gjitha gjasave shkon paralel me imagjinatën e vetë autorit. Nëse autori imagjinon një shpirt, edhe lexuesi imagjinon një shpirt. Nëse autori këtë shpirt e vendos të jetojë tek një grua, edhe lexuesi bën të njëjtën gjë. E nëse autori këtë shpirt e konstaton si të trazuar, edhe lexuesi po me aq këmbëngulje bën të njëjtën gjë. Por kur autori fillon të shpjegojë përse kjo qenie, që është njerëzore, që është grua, që ka një shpirt, dhe këtë shpirt e ka të trazuar, lexuesi nuk e ndjek më. Lexuesi kthehet në një bartës të një qëndrimi tjetër, të atij që tani hipotezat që parashtron autori para tij janë të vdekshme, të ndryshueshme, të zëvendësueshme. Këtu fillon edhe puna më e vështirë për një autorin i cili duhet me patjetër të ecë sipas një qëllimi dhe sipas një mendimi. Dhe të mendosh që i duhet të ecë në “një fushë të minuar”, një fushë e eksploruar prej shekujsh që ka dhënë edhe rezultatet e veta të padiskutueshme. Zakonisht kur ndodhin ngjarje të mëdha botërore gjithnjë kërkohet një shkak, i cili mbart në vetvete edhe një mendim edhe një qëllim. Por në analiza të kësaj dukurie harrohet, ose anashkalohet fakti tjetër se njeriu në vetvete përbën një ngjarje të vogël në ekzistencën e përgjithshme, por është po aq i madhërishëm dhe i fuqishëm në aspektin individual. Nga kjo pikëpamje të parashtruarit e koncepteve, e mendimeve dhe qëllimeve të caktuara që drejtojnë këtë individ apo një grup individësh, fokusimi deri në detaje në gjërat e vogla, përshkrimi, shpirtëzimi i tyre e afron si autorin, ashtu edhe lexuesin drejt zbërthimit të kuptimësisë, të një causa finalis. Një roman i ka të gjitha mundësitë që të afrohet drejt zgjidhjes dhe pranimit ose mospranimit të asaj që pranohet më lehtësisht, pra të përcaktimit që shkencat shpirtërore nuk mund të gjejnë natyrën e shpirtit. Nuk mund të gjejnë natyrë e shpirtit, por mund ta eksplorojnë atë. Këtë bën edhe Sokrat Habilaj me romanin e tij “Shpirt i trazuar gruaje”. Në pamje të parë të krijon përshtypjen se ai u qëndron larg këtyre problemeve. Por nëse përqendrohesh dhe fillon analizon për të kuptuar ç’ndodh, atëherë ky roman shpaloset bukur artistikisht. Nën petkun e një ngjarjeje të zakonshme, me personazhe të zakonshëm, vjen një tejshikim i trefishtë i të perceptuarit të një realiteti. Së pari, jepet hollësisht historia e gjithë pjesëmarrësve. Duke u ndalur imtësisht deri gati në skrupulozitet ndaj të gjitha detajeve, qoftë të jashtme, pra të paraqitjes fizike, po ashtu edhe së brendshmi, duke na dhënë monologë e dialogë të shpirtit me veten, në kërkim po të vetes, autori shkon thellë në gjenezën e tyre. Sigurisht që kjo përbën një përparësi sepse na afron tablo të plotësuara deri në fund të tyre dhe lexuesi mund shëtisë lirisht në çdo cep të saj në kërkim të asaj që i intereson, dhe ta gjejë po aq lirisht. Kjo u krijon të dyve Autor-Lexues, lehtësinë për të bërë prognoza për situatat e reja, nga drejtimi i së cilave varet dhe mbijetimi i personazheve. Së dyti, këta personazhe dhe këto ngjarje që pasojnë në jetët e tyre nuk janë aspak të shkëputura nga e gjithë ekzistenca shoqërore. Janë pjesë e pashkëputur e një të tëre që është e gjithë shoqëria njerëzore. Së treti, ndiqet evoluimi i të menduarit dhe i procesit të njohjes gjë që e çon pastaj lehtësisht autorin drejt të të kuptuarit të shkaqeve dhe veprimeve impulsive nga poshtë, dhe veprimeve e shkaqeve qëllimore nga lart. Kjo e çon në përfundime shumë interesante logjike sepse jemi para një njohjeje të krijimit, të dukurive jetësore, ashtu edhe para tendencës qëllimore të tyre. Ky prezantim i autorit në raport me njohjen dhe mosnjohjen e çon atë dhe lexuesin bashkë me të, në një përfundim : personazhet dhe fabula nuk janë një rastësi, kufijtë mes njohjes dhe mosnjohjes shkojnë drejt sfumimit të tyre dhe edhe pse e gjitha kjo përbën një diçka konkrete ne përsëri nuk mund të pretendojmë për të tërën. Por gjithsesi kjo nuk na pengon që të njohim segmentin e jetës sonë. Ajo çka të bën përshtypje në këtë roman është edhe një marrëdhënie shumë e veçantë që krijon autori me personazhet dhe ngjarjet, megjithëse ecën në një terren shumë të njohur. E kam fjalën për qëndrimin që ai mban dhe që përpiqet të përcjellë, në raport me konceptin e shpagimit. Në veçanti për shoqërinë shqiptare është një koncept fort i njohur. Një koncept me një derivat jetësor tejet tragjik. Mjaft të kujtojmë Kanunet me ligjet e tyre të hekurta në raport me këtë qëndrim. Po ashtu ky koncept është edhe një nga të parapëlqyerit e besimeve. Të gjitha fetë në traktatet e tyre e cekin këtë aspekt njerëzor si një hallkë shumë e rëndësishme e ndërtimit të marrëdhënieve ndërnjerërzore dhe të marrëdhënieve që ndërton njeriu me vetveten. Pa hyrë në histori desha të theksoj edhe diçka tjetër. Kjo është një dukuri e pranishme tek qenia njerëzore. Shpagimi, hakmarrja është marrë e rimarrë shumë herë edhe nga letërsia, nga poetët, dramaturgët, romancierët. Në të gjitha këto që përmenda ose pranohet si e drejtë shpagimi, hakmarrja, ose dënohet. Por në të gjitha rastet kur hakmarrja, shpagimi, pranohet si i tillë, justifikohet dhe ngrihet në kult, në të gjitha rastet personazhet përkatëse e shkojnë kohën duke u përpjekur të krijojnë situata, çaste të mbushura plot urrejtje, ligësi, intriga. Hakmarrja gati-gati fetishiohet nga personazhet dhe hija e saj bëhet në shumë raste një personazh i dukshëm dhe që i kalon kufijtë iluzivë. Shkurt materializohet si E KEQE , si FERR, e çdo simbol tjetër i ngjashëm. Personazhet që e materializojnë këtë HIJE, këtë të KEQE, këtë HAK, SHPAGË,janë gjithnjë të acaruar, në mos me të tjerët me veten. Kurrë nuk gjejnë qetësi, as ditën, as natën. Jetojnë vetëm me një qëllim. Edhe pse kanë të drejtë sepse janë lënduar dhe dëmtuar. Personazhet e kësaj kategorie pothuaj të gjithë janë të thatë si eshkë, me sy që u xixëllojnë më shumë se të tjerët, me sy që mbartin shumë enigma dhe mistere, pasojë e mendimeve të vetë atyre. Janë të pashoqërueshëm, shkurt neuritikë klasikë që nuk çlirohen nga ndjenjat që i mbajnë të burgosur brenda vetes as edhe kur e realizojnë shpagimin e tyre. Nuk i qetësojnë as lutjet e rrëfimet në kishë. Ndërsa Sokrat Habilaj me këtë roman na sjell një model të ri konceptual në raport me qëndrimin ndaj shpagimit, hakut. Ky koncept vjen si një epifani gati-gati poetike. Kur them kështu kam parasysh gjithçka të mirë. Personazhi kryesor, Silva, në ndërdijen e saj të thellë do që të hakmerret për zemrën e lënduar të saj. Por nuk bën asnjë përpjekje për ta arritur këtë. Thjesht e dëshiron. Por edhe kur e dëshiron nuk e kalon cakun e një prindi që do të ndëshkojë fëmijën e vet se ka bërë një çapkënllëk të radhës. Dhe kjo është një diferencë shumë e madhe mes raporteve dashuri-urrejtje. Ky qëndrim nuk të le shteg për urrejtje, sepse dashuria është aq e madhe dhe e fuqishme sa i mbyll të gjitha shtigjet e mundshme. Por shpagimi është i pashmangshëm, sepse DUHET, sepse jeta funksionon kështu. Ajo që ndodh është me të vërtetë diçka mistike, hyjnore, areale ndoshta. Shpaga merret vërtetë, por me dashuri. Me këtë personazh që nuk rreshti së dashuruari edhe në ditën më të keqe të saj. Të vrasësh me dashuri, kjo po, është poezi e vërtetë, dhe ndoshta kështu duhet të jetë. Ka të bëjë me të përjetuarit e asaj që ke, ose jo, shpirt. E nëse ke nuk e humbet kurrë atë, por vetëm ky shpirt në rrethana të disfavorshme mund të tulatet, por kur shpërthen, shpërthen me gjithë bukurinë dhe madhështinë e shpirtit njerëzor, të atij shpirti që kurrë nuk gjen qetësi sepse e trishton dhe e lumturon njëlloj si lindja e fëmijës, ashtu dhe rënia e një gjetheje në prag të dimrit. Është ai shpirt që përkundër të gjithë rregullave dhe përcaktimeve poetike, filozofike e shkencore mban fort shtyllat e njerëzimit, në vazhdimësinë e tij profetike.
Your are currently browsing this site with Internet Explorer 6 (IE6).
Your current web browser must be updated to version 7 of Internet Explorer (IE7) to take advantage of all of template's capabilities.
Why should I upgrade to Internet Explorer 7? Microsoft has redesigned Internet Explorer from the ground up, with better security, new capabilities, and a whole new interface. Many changes resulted from the feedback of millions of users who tested prerelease versions of the new browser.
The most compelling reason to upgrade is the improved security. The Internet of today is not the Internet of five years ago. There are dangers that simply didn't exist back in 2001, when Internet Explorer 6 was released to the world. Internet Explorer 7 makes surfing the web fundamentally safer by offering greater protection against viruses, spyware, and other online risks.
Get free downloads for Internet Explorer 7, including recommended updates as they become available. To download Internet Explorer 7 in the language of your choice, please visit the Internet Explorer 7 worldwide page.